Aksident fatal pranë Thumanës, Përplasje fatale pranë Thumanës, humb jetën një grua, dy të plagosur
Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në superstradën Fushë-Krujë–Milot, në afërsi të Thumanë, ku një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip “Mercedes”, i drejtuar nga shtetasi Radvan Maja nga Borizana, është përplasur me një mjet tip “Passat”, që drejtohej nga Ndrec Ruci nga Mirdita.
Si pasojë e përplasjes së fortë ka ndërruar jetë pasagjerja Terezë Laska, ndërsa drejtuesi i “Passat”-it ka mbetur i plagosur rëndë dhe është dërguar në spital për ndihmë mjekësore.
E lënduar ka mbetur gjithashtu edhe një grua që ndodhej në biznesin e saj pranë vendit të aksidentit, e cila është goditur nga pjesë të shkëputura të automjeteve gjatë përplasjes.
Nga hetimet paraprake dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë ndërprerja e gabuar e rrugës nga automjeti tip “Passat”, e kombinuar me shpejtësinë e lartë të “Mercedes”-it.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.




