Aksident i rëndë në aksin Fier–Lushnje, kamioni përplaset me ambulancën – katër të plagosur

Rreth orës 14:50 të ditës së sotme, në aksin rrugor Fier–Lushnje, në vendin e njohur si “Kryqëzimi i Vajkanit”, ka ndodhur një aksident i rëndë rrugor ku janë përplasur një kamion tip Iveco me targa AB 884 IV, i drejtuar nga shtetasi Ilir Seitaj, dhe një autoambulancë tip Fiat Dukato, e drejtuar nga shtetasi Jemin Tare.
Si pasojë e përplasjes së fortë – siç shihet edhe nga pamjet e siguruara nga “Fieri Web” – janë lënduar katër persona që ndodheshin në ambulancë, e cila po transportonte një pacient me probleme mendore nga Spitali Psikiatrik Vlorë drejt banesës së tij në Skrapar.
Të lënduarit janë:
- Genci Zylyftari, 38 vjeç, pacient,
- Esat Zylyftari, 74 vjeç, banues në Skrapar, babai i pacientit,
- Hatem Bakillari, 54 vjeç, punonjës policie në Komisariatin e Skraparit (SPZ),
- Taulant Mekollari, infermier, banues në Çorovodë.
Të katërt janë transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal Fier, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Më i dëmtuari është punonjësi i policisë, i cili ka marrë plagë në këmbë dhe po mbahet nën vëzhgim të kujdesshëm mjekësor.
Paraprakisht dyshohet se kamioni i ka prerë rrugën ambulancës, duke shkaktuar përplasjen. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të përcaktuar shkaqet e sakta të aksidentit.
Ngjarja ka sjellë bllokim të qarkullimit dhe trafik të rënduar në këtë aks rrugor.