Aksident i rëndë në Librazhd–Elbasan, përmbyset automjeti: dy të plagosur

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mëngjesin e sotëm në aksin e rrugës kombëtare Librazhd–Elbasan.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:30, në vendin e njohur si “Kthesa e Murrashit”. Sipas të dhënave paraprake, automjeti dyshohet se po lëvizte me shpejtësi, kur drejtuesi ka tentuar të shmangë gurë dhe dhera të rënë në rrugë.
Si pasojë, drejtuesi ka humbur kontrollin e mjetit, i cili është përplasur me mbrojtëset metalike dhe më pas është përmbysur, duke përfunduar sërish në trasenë e rrugës.
Nga aksidenti kanë mbetur të plagosur drejtuesi i automjetit dhe një pasagjer, të cilët janë transportuar me urgjencë drejt spitalit për ndihmë mjekësore. Automjeti ka pësuar dëmtime të konsiderueshme materiale.
Autoritetet po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.




