Aksident në hyrjen jugore të Lushnjës, automjeti del nga rruga dhe përplaset me një shtyllë të tensionit të mesëm
Një aksident rrugor është regjistruar mëngjesin e kësaj të marte në hyrjen jugore të qytetit të Lushnjës, ku një automjet tip “Benz” ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga.
Sipas informacioneve paraprake, pasi ka dalë nga karrexhata, automjeti është përplasur fillimisht në kanalin anësor të rrugës dhe më pas ka goditur një shtyllë të tensionit të mesëm, duke pësuar dëme të konsiderueshme materiale.
Fatmirësisht, nga aksidenti nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet janë vetëm materiale.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat kanë kryer veprimet procedurale për dokumentimin e aksidentit, si dhe kanë disiplinuar qarkullimin në zonë, ku për shkak të ngjarjes dhe fluksit të orëve të mëngjesit u krijuan vështirësi në trafik.
Nga të dhënat e para dyshohet se shkak i aksidentit mund të ketë qenë humbja e kontrollit të mjetit si pasojë e shpejtësisë së lartë. Megjithatë, specialistët e Policisë Rrugore po vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet e plota të aksidentit.




