Aksident tragjik në rrugën e re Darëzezë–Bypass i Fierit, humb jetën 37-vjeçari Gledis Çala

Një aksident me pasojë vdekje ka ndodhur mesditën e sotme në rrugën e re që lidh Darëzezën me By-passin e Fierit.
Sipas të dhënave paraprake, një automjet tip “Renault” ka dalë nga rruga dhe është përmbysur në kanalin anësor, duke i marrë jetën menjëherë drejtuesit të mjetit, i identifikuar si Gledis Çala, 37 vjeç.
Dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e lartë dhe mungesa e sinjalistikës rrugore, pasi segmenti ku ndodhi ngjarja rezulton ende i papërfunduar. Në vendngjarje raportohet një kthesë e fortë 90 gradë, ku drejtuesi i automjetit, në tentativë për të marrë kthesën, ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar i përmbysur në kanal.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe zjarrfikëses, të cilat kanë ndërhyrë për nxjerrjen e trupit nga automjeti i shkatërruar pothuajse totalisht nga përplasja.
Grupi hetimor ndodhet në terren dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit fatal.




