AKSIDENTI NË BYPASSIN E FIERIT/ KAMIONÇINA TRANSPORTONTE BOMBOLE OKSIGJENI, NGREHET SHQETËSIMI PËR SIGURINË E TRANSPORTIT

Një aksident rrugor është regjistruar mëngjesin e sotëm në bypass-in e Fierit, pranë mbikalimit të fshatit Baltëz, ku janë përfshirë një kamionçinë tip “Mercedes-Benz” dhe një autoveturë tip “Audi”.
Sipas burimeve paraprake, pas përplasjes, automjeti “Audi” ka humbur kontrollin, është përplasur me barrierat mbrojtëse të rrugës dhe më pas është përmbysur në autostradë.
Si pasojë e aksidentit, janë plagosur drejtuesi dhe pasagjeri që udhëtonin në automjetin tip “Audi”. Të dy janë transportuar drejt Spitalit Rajonal të Fierit për të marrë ndihmë mjekësore, ndërsa gjendja shëndetësore e njërit prej tyre raportohet më e rënduar.
Ajo që e bën edhe më shqetësues këtë aksident është fakti se kamionçina transportonte bombola oksigjeni. Në rast se ato do të shpërthenin si pasojë e përplasjes, pasojat mund të ishin shumë më të rënda, duke rrezikuar jo vetëm personat e përfshirë në aksident, por edhe përdoruesit e tjerë të rrugës.
Ngjarja ngre pikëpyetje mbi kushtet në të cilat transportoheshin bombolat, nëse ato ishin të fiksuara dhe të siguruara sipas standardeve përkatëse, si dhe nëse mjeti plotësonte të gjitha kërkesat e sigurisë për transportin e tyre.
A janë respektuar rregullat e transportit të bombolave me oksigjen? A do të verifikohen nga autoritetet kushtet e transportimit dhe masat e sigurisë?
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe zjarrfikësja, ndërsa vijojnë veprimet për dokumentimin e aksidentit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të tij.




