Aksion i beftë në Fier dhe Lushnjë, sekuestrohen flori, ora të shtrenjta dhe para të dyshuara

Foto ilustruese
Gjatë mbrëmjes së djeshme, Prokuroria dhe Policia e Fierit kanë zhvilluar një aksion në disa argjendari në qytetet e Fierit dhe Lushnjës, ku janë sekuestruar sasi të konsiderueshme floriri dhe ora të shtrenjta.
Burime paraprake të siguruara nga Fieri Web, bëjnë me dije se janë shoqëruar për verifikime pronarët e disa argjendarive, pasi një pjesë e bizhuterive të gjetura dyshohet se ishin pa dokumentacion dhe faturë tatimore.
Kontrolle janë ushtruar edhe në një banesë në fshatin Kreshpan të Fierit, ku janë gjetur dhe sekuestruar sasi parash, të cilat dyshohet se janë përfituar nga shitja e floririt në këto argjendari.
Sipas dyshimeve të para hetimore, floriri i sekuestruar mund të jetë vjedhur jashtë territorit të Shqipërisë dhe më pas të jetë tregtuar në mënyrë të jashtëligjshme në vendin tonë.
Pritet që në orët në vijim Policia e Fierit të dalë me një komunikatë zyrtare për të dhënë detaje të plota mbi aksionin, personat e përfshirë dhe rezultatet e hetimeve.
Shënim: Informacioni bazohet në të dhëna paraprake dhe pritet konfirmimi zyrtar nga autoritetet kompetente.




