Aksione blic të Policisë në Fier, kontrolle të shtuara për parandalimin e ngjarjeve kriminale

Në kuadër të rritjes së sigurisë publike dhe parandalimit të ngjarjeve të mundshme kriminale, strukturat e Policisë së Fierit po zhvillojnë herë pas here aksione blic në pika të ndryshme të qarkut.
Në fokus të këtyre kontrolleve janë automjetet dhe individët që paraqesin dyshime të arsyeshme, me verifikime të kryera nga strukturat e Policisë Kriminale. Masat janë intensifikuar edhe për shkak të fluksit të lartë të lëvizjeve gjatë sezonit veror, me ardhjen e turistëve dhe të shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit.
Burime policore bëjnë me dije se një pjesë e kontrolleve lidhen edhe me evidentimin e personave me precedentë apo të kaluar kriminale, të cilët mund të jenë të përfshirë ose të kthehen në objektiv të ngjarjeve kriminale, si larje hesapesh, konflikte për pazare të prishura, hakmarrje apo vjedhje.
Një rast që tregon rëndësinë e këtyre masave është ai i ditës së djeshme në Sarandë, ku Policia finalizoi operacionin “Silenciatori”, duke arrestuar dy persona të armatosur, të cilët, sipas hetimeve paraprake, ishin pozicionuar në pritë dhe dyshohet se po përgatiteshin të realizonin një atentat ndaj një objektivi të caktuar.
Policia apelon për bashkëpunimin e qytetarëve, ndërsa kontrollet dhe aksionet parandaluese do të vijojnë përgjatë gjithë sezonit veror.




