Albin Kurti flet për CNN: Nuk e dorëzoj Republikën e Kosovës para një milicie fashiste!
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur mbrëmjen e kësaj të marte për median prestigjoze amerikane CNN, duke theksuar se Republikën demokratike që është ndërtuar në vend nuk do ta dorëzojë te milicia fashiste serbe.
“Të gjitha trupat ndërkombëtare e njohën rezultatin e zgjedhjeve. Posa të njohësh këtë rezultat, atëherë kryetarët duhet të shkojnë në objektet e komunave. Kush tjetër duhet të shkojë në këto objekte, nëse jo kryetarët?”, ishte pyetja retorike që ai i bëri gazetares.
“Nuk do ta dorëzoj republikën demokratike para një milicie fashiste”, i tha ai gazetares Isa Soares. Kryeministri i Kosovës tha se bandat e dhunshme që sulmuan Policinë, KFOR-in dhe gazetarët, dirigjohen nga Serbia.
“Ne kemi shumë video dhe foto që shfaqin milicinë serbe duke qenë pjesë e bandave të dhunshme. Disa nga ta vijnë nga Kosova, por disa edhe nga Serbia. Serbia fqinje është autokraci pro-ruse. Ata kanë urdhëruar këtë të ashtuquajtur xhandarmëri, për të shkaktuar trazira në Kosovë”, vijoi Kurti.
Gjatë intervistës, Albin Kurti ka theksuar se në Kosovë ka duisa minoritete nga të cilat serbët përbëjnë vetëm 4% të popullsisë dhe nuk mund të privilegjohen.
“Kemi një komunitet serb në Kosovë, që është 4% e popullsisë. Ne duam të jetojmë në një shoqëri multikulturore, por s’duam të kemi një minoritet të privilegjuar, sepse Beogradi do kompenzim për bombardimin nga NATO-ja në kohën e Millshoeviçit.”