Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin me 28 vite burg për Ilir Selmanin, rikthehet në qeli për vrasjen e Santiago Malkos

Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi dënimin me 28 vite burg për Ilir Selmanin, të akuzuar si pjesë e grupit kriminal që ekzekutoi ish-policin Santiago Malko.
Çështja u rigjykua në Apelin e Posaçëm pas një vendimi të mëparshëm të Gjykatës së Lartë. Me vendimin e ri, Selmani do të rikthehet në burg për të vuajtur dënimin prej 28 vitesh në një institucion të sigurisë së lartë.
Më 19 qershor, Apeli i GJKKO-së kishte ndryshuar masën e sigurisë ndaj Selmanit, duke e zëvendësuar arrestin në burg me masën “arrest në shtëpi”, ku ai qëndronte në banesën e tij në Tiranë nën mbikëqyrjen e policisë gjyqësore.
Ilir Selmani ishte dënuar më 16 nëntor 2023 nga Gjykata e Posaçme e Apelit me 28 vite burg për përfshirjen në vrasjen e ish-policit Santiago Malko, ngjarje e ndodhur më 27 gusht 2019 në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë.
Sipas vendimit të gjykatës, Selmani, i konsideruar pjesë e grupit të njohur si “Klani Duka”, së bashku me një person tjetër kishte mbajtur nën vëzhgim Malkon përpara ekzekutimit të tij.




