Artan Lame mes dy botëve! (Nuk është hera e parë që ai rikthehet në jetë)!

Sot në mëngjes u dha lajmi se ish-kreu i Kadastrës, Artan Lame kishte ndërruar jetë në një spital në Gjermani, pas një komplikacioni në zemër.
Në fakt, këtë mbrëmje u bë me dije se kjo nuk është e vërtetë, pasi Lame ndodhet në koma cerebrale, një gjendje e rëndë por gjithsesi ku pacienti cilësohet në jetë, ndonëse me shanse të vogla mbijetese.
Gazetari Lutfi Dervishi tregon se kjo nuk është hera e parë që Lame “ka parë vdekjen me sy”.
Ja çfarë shkruan ai në rrjetet sociale:
Artan Lame mes dy botëve
Sot në mëngjes, lajmi i ditës ishte se Artan Lame kishte ndërruar jetë.
Në mbrëmje, lajmi ndryshoi: Artan Lame nuk ka ndërruar jetë. Është në gjendje kome.
Nuk është hera e parë që jeta i jep një kthesë të tillë. Edhe në vitin 2016, pas çarjes së aortës, gjithçka dukej se po përfundonte. Dhe ai u kthye si dëshmitar që kishte parë bregun tjetër, por zgjodhi të qëndronte pak më gjatë në këtë anë.
Ka diçka të thellë, thuajse metafizike, në këtë ndalesë mes jetës dhe vdekjes. Si një pushim fryme, një hapësirë ku as fjala nuk guxon të dalë përpara jetës.
Dhe nëse Artan Lame do të rikthehet, siç bëri një herë më parë, do të jetë ndoshta i vetmi njeri që ka lexuar të gjitha ngushëllimet për veten… dhe është kthyer për t’ia dalë një herë tjetër.