Balluku mbledh deputetët socialistë të Qarkut Fier në Hekal, takim pune në një agroturizëm

Hekal, Mallakastër – Zëvendëskryeministrja dhe drejtuesja politike e Partisë Socialiste për Qarkun Fier, Belinda Balluku, ka mbledhur këtë të shtunë të gjithë deputetët socialistë të Qarkut Fier në një takim pune në Hekal të Mallakastrës.
Takimi është zhvilluar gjatë paradites në ambientet e një agroturizmi dhe pritet të vijojë deri pasditen e sotme. Në fokus të mbledhjes mësohet se janë çështje që lidhen me organizimin dhe funksionimin e strukturave të Partisë Socialiste në Qarkun Fier, si dhe raportin me qytetarët.
Në një reagim të saj, Balluku ka vënë theksin te prania e vazhdueshme pranë qytetarëve, edhe jashtë periudhave elektorale.
“Prania besnike për të gjithë deputetët dhe strukturën e Partisë Socialiste të Qarkut Fier, është mënyra se si ne punojmë çdo ditë, por gjithmonë kemi vend për t’u përmirësuar, për të dëgjuar më shumë, për të qenë më pranë çdo qytetari, pavarësisht preferencave të tij politike”, shprehet Balluku.
Ajo ka theksuar se kjo qasje duhet të jetë pjesë e punës së përditshme të strukturave socialiste, edhe në periudhat kur nuk ka fushatë elektorale.
“Prania besnike për ne është detyrë, është disiplinë edhe jashtë fushate, edhe kur fiken kamerat”, deklaron Balluku.
Sipas saj, deputetët dhe strukturat e PS-së nuk duhet të presin që qytetarët të shkojnë tek ata, por duhet të jenë vetë pranë komunitetit.
“Ne nuk presim që qytetari të trokasë në derën tonë, por shkojmë ne tek qytetari. Kjo është fryma e skuadrës tonë, ky është rezultati i një analize të thellë, kjo është mirënjohja dhe detyrimi ynë ndaj qytetarit”, ka deklaruar drejtuesja politike e PS-së për Qarkun Fier.
Takimi në Hekal zhvillohet në një moment kur strukturat socialiste të qarkut po vijojnë organizimin dhe analizën e punës në terren, me synim forcimin e komunikimit me qytetarët dhe rritjen e pranisë së deputetëve në komunitetet që përfaqësojnë.




