Blerje automjeti me vlerë 1.6 milionë lekë/ Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq administratoren dhe anëtarët e FAF sh.a.

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për një procedim penal të vitit 2020 dhe ka dërguar në gjyq administratoren, kryetaren dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Shoqërisë së Parë Financiare për Zhvillim (FAF sh.a.), të akuzuar për “Shpërdorim detyre”.
Në përfundim të hetimeve, prokuroria ka ngritur akuza ndaj shtetasve IM, AK, Ll.P., DQ, AC, ML, OD dhe E.Xh., për veprën penale të parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal.
Sipas prokurorisë, hetimi lidhet me një sërë shkeljesh të gjetura edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në procedurat e prokurimit të kryera nga personat nën hetim.
Fokusi i hetimit ishte veçanërisht procedura për blerjen e një automjeti.
Prokuroria thotë se blerja është kryer pa miratimin e Ministrit të Financave, ndërsa dosja e tenderit nuk përfshinte argumente për kriteret specifike të kualifikimit, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Për këto shkelje, sipas Prokurorisë, janë mbajtur përgjegjës administratori DQ, si dhe Këshilli Mbikëqyrës, i përbërë nga kryetarja IM dhe anëtarët AC, AK, ML, Ll.P., OD dhe A.Gj.
Një element tjetër i identifikuar gjatë hetimit është fakti se automjeti i blerë nga FAF sh.a. më parë kishte qenë në pronësi të Kryetares së Këshillit Mbikëqyrës, IM, e cila më parë kishte mbajtur pozicionin e Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë.
Sipas hetimit, automjeti është blerë me vendim të kuvendit për 1.6 milionë lekë, përfshirë TVSH-në, me qëllim zëvendësimin e punës së gjashtë automjeteve. Prokuroria vlerëson se një automjet i vetëm nuk mund të plotësonte nevojat e kompanisë, e cila kishte 30 degë në 30 rrethe të Shqipërisë.
Hetimi zbuloi gjithashtu vendimin për caktimin e një pune shtesë për drejtuesin e mjetit të ri.
Sipas Prokurorisë, FAF sh.a. kishte tashmë gjashtë drejtues pa mjete, të cilët vazhdonin të merrnin pagat e tyre, kështu që caktimi i një pune tjetër për drejtuesin e mjetit u konsiderua i tepërt dhe në kundërshtim me ligjin.
Si përfundim, bazuar në provat dhe aktet e administruara gjatë hetimit, Prokuroria e Tiranës vlerëson se ndaj shtetasve IM, AK, Ll.P., DQ, AC, ML, OD dhe E.Xh., janë konsumuar, nëpërmjet veprimeve ose mosveprimeve, elementët e veprës penale “Shpërdorim detyre”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.




