Detaje të reja nga aksidenti tragjik në Levan–Vlorë, humb jetën 24-vjeçari nga Fieri, makina shkatërrohet plotësisht

Detaje të reja janë zbardhur nga aksidenti i rëndë rrugor i ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte në aksin Levan–Vlorë, ku ka humbur jetën 24-vjeçari Albi Hoxha, banues në Fier.
Sipas të dhënave paraprake, automjeti me targa AB009GN është përplasur me barrierat mbrojtëse anësore të rrugës. Rreth 30 metra larg pikës së përplasjes, i riu është gjetur pa shenja jete.
Mësohet se Albi Hoxha ka lindur më 07.08.2002.
Ndërkohë, në njoftimin zyrtar, Policia bën me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00, në vendin e quajtur mbikalimi i Novoselës, në aksin rrugor në drejtim të fshatit Akërni, ku drejtuesi i mjetit, shtetasi A. H., ka humbur jetën si pasojë e aksidentit.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit.




