Dh*na mes adoleshenteve në Fier/ 17-vjeçarja u rrah nga tre bashkëmoshatare, çështja në hetim nga Prokuroria
Një ngjarje e rëndë, e cila ka tronditur opinionin publik pas publikimit të pamjeve në rrjetet sociale, ka ndodhur rreth një muaj e gjysmë më parë në qytetin e Fierit.
Sipas informacioneve të siguruara, një 17-vjeçare është dhunuar fizikisht nga tre bashkëmoshatare brenda ambienteve të një banese. E reja ishte ftuar nga shoqet e saj me pretendimin se do të sqaronin një mosmarrëveshje, por takimi degradoi në një akt të rëndë dhune. Gjatë episodit, njëra prej vajzave filmonte ngjarjen, ndërsa nxiste agresionin ndaj 17-vjeçares.
Ngjarja është denoncuar në Policinë e Fierit nga prindërit e vajzës vetëm një ditë pas incidentit. Sipas familjarëve dhe fqinjëve, reagimi institucional nuk ka qenë në nivelin e pritshmërive, ndërsa rasti mori vëmendje të gjerë publike vetëm pasi videoja u publikua në rrjetet sociale.
Të afërmit bëjnë me dije se e mitura me inicialet P.D. kishte ndërprerë shkollën për të ndjekur një kurs parukerie, me synimin për të mësuar një profesion dhe për të ndërtuar të ardhmen e saj.
Nëna e 17-vjeçares, në një prononcim për Fieri Web, shprehet se është e shqetësuar për gjendjen psikologjike të së bijës pas ngjarjes. Ajo kërkon ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse, duke theksuar se familja jeton me frikë dhe pasiguri edhe për fëmijët e tjerë të mitur.
Ndërkohë, çështja ndodhet në shqyrtim nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, e cila po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për përcaktimin e përgjegjësive ligjore.
Për shkak se në këtë rast janë të përfshirë të mitur, identiteti i tyre mbrohet me ligj. Autoritetet pritet të dalin me një qëndrim zyrtar pas përfundimit të veprimeve hetimore.




