Dhunë mes adoleshenteve në Fier, një fenomen që ngre pikëpyetje për familjen, shkollën dhe shoqërinë
Pamjet e rënda të një episodi dhune të regjistruar në Fier kanë tronditur opinionin publik dhe kanë rikthyer në qendër të debatit një fenomen gjithnjë e më shqetësues: agresivitetin mes të rinjve dhe normalizimin e dhunës.
Në videon që po qarkullon në rrjetet sociale, një vajzë e mitur shfaqet duke u dhunuar fizikisht nga dy vajza të tjera, ndërsa një tjetër e mitur filmon të gjithë skenën pa ndërhyrë.
Sipas informacioneve paraprake, në ngjarje janë të përfshira shtetasja me iniciale N. L., rreth 19 vjeçe, dhe shtetasja me iniciale M., 17 vjeçe, të cilat dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj vajzës me iniciale P., rreth 17 vjeçe. Personi që filmon ngjarjen është vajza me iniciale K., 17 vjeçe.
Pamjet tregojnë se viktima goditet në mënyrë të përsëritur me shuplaka dhe grushte, tërhiqet zvarrë prej flokësh dhe në një moment kapet njëkohësisht nga flokët nga të dyja vajzat, të cilat e tërheqin në drejtime të kundërta.
Ngjarja është raportuar në Policinë e Fierit, e cila po kryen veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore.
Përtej aspektit penal, rasti ka hapur një debat më të gjerë në opinionin publik: Kush mban përgjegjësi kur të rinjtë arrijnë në një nivel të tillë dhune? A është familja, e cila duhet të edukojë me respekt dhe empati? A është shkolla, e cila duhet të identifikojë dhe të trajtojë konfliktet mes nxënësve? Apo është shoqëria, ku dhuna, bullizmi dhe ekspozimi në rrjetet sociale po bëhen gjithnjë e më të pranishme?
Specialistët e edukimit dhe psikologët kanë theksuar vazhdimisht se raste të tilla zakonisht nuk lidhen me një shkak të vetëm. Mungesa e komunikimit në familje, bullizmi, ndikimi i rrjeteve sociale, modelet e dhunshme që qarkullojnë në internet dhe mungesa e ndërhyrjes në kohë janë disa nga faktorët që mund të ndikojnë në sjellje të tilla.
Po aq shqetësues mbetet edhe fakti që në vend të ndërhyrjes për të ndihmuar viktimën, një tjetër e mitur zgjodhi të filmonte të gjithë episodin. Ky veprim ka nxitur reagime të shumta dhe ka ngritur pikëpyetje mbi përgjegjësinë sociale të të rinjve.
Rasti i Fierit duhet të shërbejë si një kambanë alarmi për familjet, shkollat dhe institucionet. Lufta ndaj dhunës nuk fillon në momentin kur ndërhyn Policia, por shumë më herët, me edukimin, komunikimin dhe bashkëpunimin mes prindërve, mësuesve dhe shoqërisë për të parandaluar që ngjarje të tilla të përsëriten. /fieriweb.com




