Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Skënder Hita: Punë e pamjaftueshme në luftën kundër paligjshmërisë, kërkohet angazhim maksimal

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, zhvilloi gjatë ditës së sotme një seri takimesh me strukturat e drejtorive vendore të Policisë në Korçë dhe Elbasan, si dhe me strukturat e Kufirit dhe Migracionit në Korçë.
Gjatë analizës së punës, Drejtori Hita evidentoi se në të dyja qarqet është bërë një punë e pamjaftueshme në drejtim të parandalimit dhe goditjes së armëmbajtjes pa leje, shpërndarjes së lëndëve narkotike, si dhe kapjes së personave në kërkim.

Ai kërkoi angazhim maksimal nga strukturat policore për të goditur kultivimin e bimëve narkotike, krimet mjedisore dhe për të zbardhur ngjarjet kriminale të ndodhura më parë, duke u mbështetur në informacion cilësor nga inteligjenca kriminale.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe rritja e performancës së shërbimit policor në të gjitha nivelet. Drejtori theksoi rëndësinë e përdorimit të teknologjisë nga Policia Rrugore, duke kërkuar zbatim rigoroz të porosive për të mos ndaluar automjetet pa shkak në akset nacionale, si dhe ndëshkimin e parkimeve të gabuara që rrezikojnë sigurinë rrugore dhe pengojnë lëvizjen e lirë.

Një tjetër çështje e rëndësishme ishte reagimi në kohë dhe profesional ndaj çdo ngjarjeje apo shqetësimi të qytetarëve. Drejtori kërkoi ndjekje në dinamikë të çdo problematike të ngritur, si dhe angazhim të plotë të të gjitha strukturave, nga drejtuesit e komisariateve deri te patrullat, për garantimin e sigurisë në shkolla.
Sa i përket Policisë Kufitare, Hita u shpreh kritik ndaj performancës në parandalimin e krimeve ndërkufitare, trafiqeve dhe ndihmës për emigrantët e paligjshëm që përdorin Shqipërinë si vend transit drejt vendeve të Bashkimit Europian. Ai kërkoi gjithashtu përmirësimin e shërbimit në pikat e kalimit kufitar, duke i konsideruar ato si kontaktin e parë të qytetarëve dhe turistëve me vendin.

Në përfundim të takimeve, Drejtori i Përgjithshëm kërkoi luftë pa kompromis ndaj çdo paligjshmërie, reagim në kohë reale dhe rritje të përgjegjshmërisë nga të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit.
Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë, duke raportuar çdo rast paligjshmërie apo shqetësimi, me qëllim rritjen e sigurisë dhe rendit publik në vend.





