Drejtori i Policisë Fier publikon bilancin e muajit maj: 264 vepra penale, 69 të arrestuar dhe mbi 11 mijë gjoba në rrugë

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, Drejtues Erion Ahmeti, ka prezantuar këtë të martë rezultatet e punës së Policisë gjatë muajit maj 2026, në një konferencë për shtyp me gazetarët.
Sipas të dhënave të bëra publike, gjatë muajit maj janë evidentuar 264 vepra penale, nga të cilat 260 janë zbuluar, ose 98.4% e tyre. Në këto ngjarje janë identifikuar 268 autorë të dyshuar, ku 69 persona janë arrestuar ose ndaluar, 190 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 9 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Policia bëri me dije se gjatë muajit maj janë finalizuar 10 operacione policore, duke çuar në arrestimin e 14 personave. Operacionet janë fokusuar kryesisht në goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike, armëmbajtjes pa leje, kapjen e personave në kërkim dhe krimet kundër pronës.
Gjatë kësaj periudhe janë sekuestruar 3.3 kilogramë cannabis sativa, 11.3 gramë kokainë, 4 armë zjarri, municione luftarake, lëndë plasëse, para në euro dhe lekë, si dhe pajisje të përdorura për veprimtari kriminale.
Në fushën e sigurisë rrugore, Policia Rrugore ka vendosur 11.132 masa administrative, ose gati 5 mijë më shumë se gjatë muajit prill. Gjithashtu, janë proceduar penalisht 59 drejtues mjetesh për shkelje të rënda të Kodit Rrugor.
Sipas raportit, gjatë muajit maj janë regjistruar 14 aksidente rrugore, ku kanë humbur jetën 2 persona, një është plagosur rëndë dhe 13 të tjerë kanë pësuar lëndime të lehta.
Policia Fier raportoi gjithashtu 21 raste të krimeve mjedisore dhe shkeljeve që cenojnë regjimin juridik të tokës, ndërsa u evidentuan edhe 9 raste më shumë të ndërtimeve pa leje krahasuar me muajin e kaluar.
Drejtori Ahmeti theksoi se problematikat kryesore mbeten shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor, dhuna në familje dhe prodhimi apo shpërndarja e lëndëve narkotike, duke garantuar se strukturat e Policisë do të vijojnë kontrollet dhe monitorimin në terren për rritjen e sigurisë së qytetarëve.
Në përfundim, ai u bëri thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me Policinë, duke denoncuar çdo paligjshmëri apo rast neglizhence, me synimin për ta bërë komunitetin më të sigurt.




