Drejtori i Policisë, Ilir Proda, takon Catherine De Bolle në Europol për forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, zhvilloi një vizitë zyrtare në Hagë, ku u prit nga Drejtoresha Ekzekutive e Europolit, Catherine De Bolle. Në takim, Proda u shoqërua nga Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, Neritan Nallbati.
Gjatë takimit, Drejtoresha De Bolle vlerësoi angazhimin, profesionalizmin dhe besueshmërinë e Policisë shqiptare në operacionet e përbashkëta të koordinuara nga Europol, pjesë e platformës EMPACT, që synon luftën kundër krimit të organizuar në nivele ndërkombëtare. Ajo theksoi se mbështetja dhe asistenca e Europolit për Policinë e Shtetit shqiptar do të intensifikohet, duke garantuar një bashkëpunim të ngushtë në operacione dhe shkëmbim informacioni me agjencitë ligjzbatuese të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Nga ana e tij, Drejtori Proda falënderoi Europolin për vlerësimin dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke siguruar se Policia shqiptare është e gatshme profesionalisht dhe shumë e angazhuar në veprime hetimore e operacionale me partnerët ndërkombëtarë. Ai theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në nivel strategjik dhe operacional, duke garantuar koordinimin e plotë të operacioneve kundër grupeve kriminale që veprojnë edhe në migracionin e paligjshëm.
Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për përdorimin e produkteve analitike të Europolit, veçanërisht në luftën kundër krimit kibernetik, si dhe për përputhshmërinë e strukturave të Policisë shqiptare me standardet e policive europiane. Drejtori Proda nënvizoi nevojën për rritjen e kapaciteteve profesionale dhe teknologjike të Policisë shqiptare për të përballuar sfidat e krimit të organizuar dhe ndërkombëtar.
Në përfundim të vizitës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ftoi Drejtoreshën Ekzekutive të Europolit, Catherine De Bolle, për një vizitë zyrtare në Policinë e Shtetit shqiptar, si shenjë e thellimit të bashkëpunimit strategjik dhe miqësor ndërmjet dy institucioneve.
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të Policisë shqiptare, duke e vendosur vendin tonë në hartën e operacioneve të koordinuara të Europolit dhe duke rritur efektivitetin në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut dhe fenomeneve të tjera kriminale që ndikojnë në sigurinë kombëtare dhe rajonale.




