Dy të vrarë dhe dy të plagosur nga të shtënat në Gjilan – autori në arrati

Gjilan, 10 gusht 2025 – Një incident i rëndë me armë zjarri ka tronditur sot qytetin e Gjilanit, ku si pasojë e të shtënave dy persona kanë humbur jetën, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:32, në rrugën “Ibrahim Rugova”.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari është një person i gjinisë mashkull, shtetas i Kosovës, i njohur për Policinë e Kosovës, i cili ndodhet ende në arrati.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, konfirmoi për “Telegrafin” detajet e para të rastit.
“Mjekët kanë konstatuar vdekjen e dy personave në vendngjarje, ndërsa dy të plagosur janë dërguar në Qendrën Emergjente të qytetit për trajtim,” tha ai, duke shtuar se forcat policore janë angazhuar në kërkimin e të dyshuarit.
Në vendngjarje kanë mbërritur njësitë e hetimeve rajonale, sektori për krime të rënda dhe përfaqësues të Prokurorisë, të cilët kanë nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve të kësaj ngjarjeje të rëndë.
“Policia e Kosovës, në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, po zhvillon hetime të thelluara me qëllim sqarimin e motiveve dhe detajeve të këtij akti,” tha zëdhënësi Hashani.




