E rëndë/ Ndërron jetë 25-vjeçarja nga Durrësi, u plagos rëndë në zjarrin e hotelit në Vlorë

Ka ndërruar jetë Ana Dyrmishi, 25-vjeçarja nga Durrësi, e cila u plagos rëndë në zjarrin që përfshiu hotelin “Brooklyn” në Lungomare të Vlorës, më 16 gusht.
E reja pësoi djegie në rreth 85% të trupit dhe, pas trajtimit fillestar në Shqipëri, u transferua në Turqi për mjekim të specializuar. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, gjendja e saj vijoi të ishte kritike dhe Ana fatkeqësisht nuk mundi të mbijetonte.
Ana jetonte së bashku me familjen në zonën e Shkozetit në Durrës. Ndarja e saj nga jeta ka thelluar dhimbjen e familjes, pas tragjedisë së rëndë të 16 gushtit.
Zjarri në hotelin “Brooklyn” shpërtheu në orët e para të mëngjesit, duke plagosur gjashtë persona. Disa prej tyre u detyruan të largoheshin nga godina përmes ballkoneve për t’u shpëtuar flakëve.
Ceremonia e lamtumirës së fundit për Ana Dyrmishin do të zhvillohet nesër, në orën 15:00, në Varrezat e Reja të Durrësit.
🕯️ Ngushëllime familjes dhe të afërmve.




