Efektivi i Shqiponjave u vra në krye të detyrës nga ish-ushtaraku, Edi Rama kërkon dënim maksimal për Braçellarin, shpallet dëshmor atdheu Enea Mekolli

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka reaguar mëngjesin e kësaj të enjte në lidhje me ngjarjen e rëndë që tronditi Maliqin ku personi i cili prej vitesh ishte në kërkim nga policia hapi zjarr në drejtim të efektivëve të Shqiponjave. Nga ngjarja humbi jetën efektivi Enea Mekolli, të cilin Rama e ka shpallur dëshmor atdheu.
Në reagimin e bërë në “X” Rama vlerëson policin që humbi jetën në krye të detyrës Enea Mekollin, si dëshmor atdheu. Ndërsa më tej kreu i qeverisë shqiptare kërkon dënim maksimal për autorin e ngjarjes.
“Nderim përjetë dëshmorit të atdheut, ngushëllime familjes dhe shërim të shpejtë efektivit tjetër
Ndëshkim maksimal për të shumëkërkuarin dhe respekt maksimal për Policinë e Shtetit, që nuk do të ndalet asnjëherë në misionin e saj” shkruan kryeministri Rama në reagimin e tij.
Reagimi i Edi Ramës:
Gjatë një operacioni kurajoz për kapjen e një të shumëkërkuari, që prej vitesh i fshihej ligjit në malet e Korçës dhe në mënyrë të përsëritur kishte arritur t’u ikte rrethimeve të forcave të rendit, ka humbur jetën një efektiv policie e është plagosur një i dytë, ndërkohë që pasi ka hapur zjarr ndaj tyre u plagos dhe u kap edhe krimineli!
Nderim përjetë dëshmorit të atdheut, ngushëllime familjes dhe shërim të shpejtë efektivit tjetër
Ndëshkim maksimal për të shumëkërkuarin dhe respekt maksimal për Policinë e Shtetit, që nuk do të ndalet asnjëherë në misionin e saj.




