Mbetën të plagosur gjatë operacionit policor në Maliq/ Efektivi i “Shqiponjave” me plagë në nofull, autori në brinjë

Detaje të tjera kanë dalë nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Maliq, ku gjatë një operacioni policor humbi jetën një efektiv i Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe mbeti i plagosur një tjetër.
Burime bëjnë me dije se efektivi i plagosur, Edison Adri, do të transportohet drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar mjekësor. Mësohet se ai ka marrë plagë në zonën e nofullës.
Ndërkohë, drejt Tiranës do të transportohet edhe autori i dyshuar i sulmit, Violand Braçellari, i cili mbeti i plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e policisë. Sipas informacioneve paraprake, ai ka marrë një plagë arme në brinjë dhe po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat e sulmit që i mori jetën efektivit të policisë dhe la të plagosur kolegun e tij.




