ERION VELIAJ KUNDËRSHTON TRANSFERIMIN NË FIER: “PËR MUA PËRBËN NJË RRËMBIM POLICOR”
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar përmes një deklarate për shtyp lidhur me transferimin e tij nga IEVP Durrës në burgun e Fierit. Veliaj pretendon se nuk i është vënë në dispozicion akti që urdhëron transferimin dhe as arsyet ligjore që e justifikojnë atë.
Në deklaratën e tij, ai e cilëson mënyrën e realizimit të transferimit si “rrëmbim policor” dhe u kërkon institucioneve përkatëse të ndërhyjnë urgjentisht për të verifikuar shkaqet e këtij vendimi, të cilin e konsideron politik.
Më poshtë, deklarata e plotë e Erion Veliajt:
DEKLARATË PËR SHTYP E KRYEBASHKIAKUT ERION VELIAJ
Sot, një grup punonjësish të Policisë së Burgjeve, të dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, janë paraqitur në IEVP Durrës për të më transferuar në burgun e Fierit.
Pavarësisht kërkesave të përsëritura, si nga unë ashtu edhe nga avokati im, për t’u njohur me aktin që urdhëron transferimin dhe arsyet që e justifikojnë atë, na është refuzuar vënia në dispozicion e këtij dokumenti.
Një transferim i detyruar, pa më bërë të njohur aktin dhe arsyet ligjore mbi të cilat mbështetet, për mua përbën një rrëmbim policor dhe cenon rëndë të drejtat e mia.
Unë nuk kam dhënë pëlqimin për këtë transferim dhe kam kundërshtuar mënyrën se si po realizohet, pa transparencë dhe pa më mundësuar ushtrimin efektiv të të drejtave të mia ligjore.
I kërkoj publikisht Ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit të ndërhyjnë urgjentisht, të verifikojnë arsyet dhe shkaqet e këtij transferimi politik.
Erion Veliaj
IEVP Durrës, 28 tetor 2026




