Escobar ngriti alarmin për konflikt rajonal, Kurti ia kthen me ironi therëse: Pyesni Edi Ramën, ai di më shumë! Ka kërcënuar… Beogradin!
Gabriel Escobar, emisar special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i shoqëruar nga i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, u paraqitën në “Këshillin Atlantik”, një institut i njohur amerikan për marrëdhënie ndërkombëtare. Në këtë intervistë, relativisht të shkurtër, Escobar dërgoi ca mesazhe të qartë.
Së pari, Escobar u tregua jashtëzakonisht i shqetësuar për situatën e tensionuar në veri të Kosovës. Madje, për herë të parë, përfaqësuesi amerikan e përdori një sintagmë goxha alarmuese. Në “Atlantic Council”, z. Escobar vlerësoi se tensionet në veri janë aq të mëdha sa kanë potencialin për t’u shndërruar në “konflikt rajonal”.
Për shkak të këtij potenciali për zgjerim të tensioneve në veri në përplasje rajonale, Escobar deklaroi se ShBA-ja e përkrah BE-në.
“Jam shumë i shqetësuar, kjo (situatë) ka potencialin për t’u shndërruar në konflikt rajonal. Prandaj ne jemi shumë, shumë mbështetës në iniciativën evropiane, duhet të jetë nismë evropiane. Këto shtete janë në Evropë, aspiratat e tyre më të mëdha janë të bëhen pjesë e Evropës dhe përderisa ata normalizojnë raportet e tyre, ata po ashtu harmonizojnë sistemet e tyre me Evropën.” – deklaroi ai.
Por në këtë intervistë, amerikani Escobar e kundërshtoi togfjalëshin “milici fashiste”, të përdorur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Në botëkuptimin e Escobarit, një gjuhë e tillë e përdorur nga Kurti, nuk i shërben atmosferës së pajtimit.
“Ne, po ashtu, kemi thënë se kushdo që e sulmon KFOR-in apo Policinë e Kosovës, duhet të përballet me pasoja. Por komandanti i KFOR-it na tha që 90 për qind e atyre që u shfaqën (në protestë) ishin protestues paqësorë dhe nuk mund të përdorësh termin “grup fashistë” ndaj të gjithë qytetarëve të veriut. Nuk është ndihmuese në krijimin e një atmosferë të pajtimit” – deklaroi z. Escobar.
Me këto deklarata të Escobarit, u pajtua edhe Lajçak, duke shtuar se përveç ushtarëve të KFOR-it e policëve kosovarë, në veri sulmuan edhe gazetarët.
“Nuk kishte vetëm ushtarë të KFOR-it dhe të policë të Kosovës, por edhe gazetarët po ashtu u sulmuan dhe qytetarë të tjerë. Kjo nuk është e pranueshme.” – deklaroi z. Lajçak.
Përgjigja e Kurtit
Sigurisht, Kurti u pyet në lidhje me këtë alarm të diplomatit amerikan. Në një konferencë për media në objektin e Qeverisë së Kosovës, Kurti fillimisht e komentoi pyetjen, duke thënë se pyetja ishte shtruar në konferencën e gabuar.
“Në veri të Kosovës, e kemi KFOR-in, e kemi EULEX-in, e kemi para së gjithash dhe mbi të gjitha, Policinë e Kosovës, e cila po zbaton rendin dhe ligjin, dhe kemi struktura ilegale të Serbisë. Është një konflikt ndërmjet një një republike demokratike me policinë me profesionale dhe të orientuar nga Perëndimi në rajon, dhe, anën tjetër, struktura kriminale të një shteti autokratik.
Është një konflikt mes këtyre dyjave dhe unë besoj se në mes të këtyre të dyjave, nuk do të duhej të kishte zyrtarë, diplomatë, politikanë të Perëndimit demokratik që ka dilema se cila është ana e drejtë. Konflikt rajonal, siç paska thënë amisari amerikan Escobar, po iu besoj juve se unë nuk e kam parë, i bie që nuk janë veç dy shtete, ka më shumë se dy shtete. Tash mbase ndodheni në konferencën e gabuar për media.” – deklaroi fllimisht ai.
Pas fjalive hyrëse, Kurti u tregua pak ironik, duke deklaruar me shpoti se cili vend tjetër në rajon do të mund të hynte në luftë si pasojë e tensioneve në veri të Kosovës. Madje, mospërfillja ndaj shqetësimit të Escobarit, kaloi në cinizëm edhe ndaj kryeministri të Shqipërisë, Edi Rama.
“Është dashur të jeni në konferencën tjetër ta pyesni atë, cilat shtetet tjera përveç Kosovës dhe Serbisë, besoni që do të përfshihen, meqë thoni se konflikti do të jetë rajonal. Unë nuk e di. Mali i Zi? S’ma merr mendja. Maqedoni? S’besoj. Kryeministri Edi Rama ka kërcënuar Beogradin? Ndoshta, por ju atje duhet t’i pyesni, sepse unë i di shumë gjëra, por jo edhe aq shumë. Pra do të duhej që emisarin amerikan Escobar ta pyesni kur ka thënë konflikt rajonal, se cilat shtete i ka menduar përveç Kosovës e Serbisë.” – shtoi Kurti.