Evropa përvëlohet nga vala ekstreme e të nxehtit, thyhen rekorde temperaturash dhe shtohen alarmet për thatësirë

Vala e të nxehtit me temperatura rekord për muajin qershor vijon të godasë Evropën, duke shkaktuar probleme serioze në disa shtete, nga thatësira dhe zjarret deri te ndërprerjet në transportin ajror.
Në Itali, autoritetet kanë ngritur alarmin për thatësirë, pasi lumi Po, më i gjati në vend, ka rënë në nivelet më të ulëta të regjistruara ndonjëherë për këtë periudhë. Prurjet kanë zbritur nën 300 metra kub në sekondë, duke rrezikuar rëndë bujqësinë dhe furnizimin me ujë.
Edhe Gjermania po përjeton temperatura historike. Shërbimi Meteorologjik regjistroi 41.5°C në Dretz, në landin e Saksoni-Anhalt, duke thyer rekordin kombëtar prej 41.3°C, i vendosur vetëm një ditë më parë.
Në Britaninë e Madhe, mbi 700 fluturime u vonuan dhe dhjetëra të tjera u anuluan në aeroportet e Londrës për shkak të temperaturave ekstreme dhe kufizimeve të përkohshme në trafikun ajror.
Rekorde u shënuan edhe në Sllovaki, ku temperaturat gjatë natës nuk zbritën nën 26.3°C, ndërsa Rumania ka shpallur alarmin e kuq për të gjithë territorin nga e hëna deri të mërkurën.
Edhe vende të tjera si Spanja, Franca, Republika Çeke, Hungaria dhe Moldavia po përballen me temperatura përvëluese. Në Spanjë janë raportuar qindra viktima të lidhura me valën e të nxehtit, ndërsa në Francë termometri ka kaluar 40°C.
Ndërkohë, edhe vendet e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, pritet të përballen me ditë shumë të nxehta gjatë javës së ardhshme.
Një rekord historik është regjistruar edhe në Danimarkë, ku Instituti Meteorologjik raportoi 37°C pranë qytetit të Aarhusit, temperatura më e lartë e matur në vend që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1874.




