Familja e Dr. Jani Pjetrit përcjell një mesazh prekës falënderimi: “Do ta kemi gjithmonë në zemrat tona”

Familja e të ndjerit Dr. Jani Pjetri ka shprehur mirënjohjen e saj për të gjithë qytetarët, miqtë, kolegët dhe pacientët që, përmes mesazheve dhe komenteve të tyre, ndanë fjalë ngushëllimi dhe vlerësimi pas ndarjes nga jeta të mjekut të njohur fierak.
Në një mesazh publik, bashkëshortja dhe fëmijët e Dr. Pjetrit falënderojnë të gjithë ata që i kanë qëndruar pranë në këto momente të vështira, duke theksuar se fjalët e tyre u kanë dhënë forcë dhe ua kanë lehtësuar dhimbjen e humbjes.
Familja shprehet se është prekur nga vlerësimet e shumta për profesionalizmin dhe humanizmin e Dr. Jani Pjetrit, si edhe nga rrëfimet e pacientëve që kanë ndarë përvojat e tyre dhe ndihmën që kanë marrë prej tij ndër vite.
“Jemi krenarë që bashkëshorti dhe babai ynë ka mundur t’u shërbejë dhe të ndihmojë kaq shumë pacientë në Fier dhe në fshatrat përreth. Këto vlerësime përshkruajnë njeriun që ne kemi njohur edhe në shtëpinë tonë: i gëzuar kur zgjidhte një rast të vështirë, akoma më i gëzuar kur pacientët i thoshin se ishin bërë më mirë falë ndihmës së tij dhe i prekur kur kishte vizituar dikë që nuk ndihmohej dot më”, thuhet në mesazhin e familjes.
Në përfundim, familja thekson se do ta kujtojë gjithmonë me krenari dhe dashuri, jo vetëm si një bashkëshort dhe baba të përkushtuar, por edhe si një mjek që ia kushtoi jetën shërbimit ndaj njerëzve.
“Ne jemi krenarë për punën e tij dhe për njeriun që ai ishte. Do ta kemi gjithmonë në zemrat tona si bashkëshort, baba dhe doktor të mirë”, mbyllet mesazhi i familjes Pjetri.
Mesazhi i plotë:
Të dashur miq, shokë e (ish-)kolegë,
Me këtë mesazh, ne, bashkëshortja dhe fëmijët e Dr. Jani Pjetrit, duam t’ju falënderojmë për fjalët e ngrohta që kemi lexuar në komentet tuaja.
Ngushëllimet dhe fjalët tuaja të bukura e të sinqerta na prekën, na dhanë kurajo dhe na lehtësuan dhimbjen e humbjes së tij.
Lexuam shumë vlerësime të larta për punën dhe humanizmin e tij, në disa raste edhe me tregime konkrete që disa prej jush i rrëfenit në komente.
Jemi krenarë që bashkëshorti dhe babai ynë ka mundur t’u shërbejë dhe të ndihmojë kaq shumë pacientë në Fier dhe në fshatrat përreth.
Këto vlerësime përshkruajnë njeriun që ne kemi njohur edhe në shtëpinë tonë: i gëzuar kur zgjidhte një rast të vështirë; akoma më i gëzuar kur pacientët i thoshin se ishin bërë më mirë falë ndihmës së tij; dhe i prekur kur kishte vizituar dikë që nuk ndihmohej dot më.
Ne jemi krenarë për punën e tij dhe për njeriun që ai ishte. Do ta kemi gjithmonë në zemrat tona si bashkëshort, baba dhe doktor të mirë. ❤️
Me sinqeritet,
Familja Pjetri




