Fermerët denoncuan dështimin e prodhimit, deputeti i Mallakastrës njofton Festën e Qershisë

Vetëm një javë më parë u publikua shqetësimi i fermerëve të Drenovës në Mallakastër, një zonë e njohur prej dekadash për prodhimin e qershisë, të cilët ngritën alarmin për një sezon të vështirë, me prodhim të dëmtuar dhe vështirësi të mëdha ekonomike.
Ndërsa fermerët flasin për një realitet të zymtë dhe për humbje në prodhim, vëmendje ka tërhequr njoftimi i bërë nga deputeti socialist i zonës së Mallakastrës, Klevis Jahaj, për organizimin e “Festës së Qershisë”.
Kontrasti mes situatës së raportuar vetëm pak ditë më parë dhe promovimit të një aktiviteti festiv ka sjellë pikëpyetje dhe kritika, pasi shumë e shohin si një mospërputhje me gjendjen që po përjetojnë fermerët në terren. Nga njëra anë flitet për mungesë prodhimi dhe vështirësi ekonomike, ndërsa nga ana tjetër promovohet një festë kushtuar produktit që këtë vit është kthyer në shqetësim për shumë familje të zonës.







