FIER/ 17-vjeçarja rrëfen 30 minutat e tmerrit në shtëpinë e shoqes: Më akuzoi se i kisha puthur të dashurin

Disa muaj pas ngjarjes së rëndë që tronditi opinionin publik, 17-vjeçarja nga Fieri që u dhunua nga një grup vajzash ka folur sërish për atë ditë dhe për periudhën që pasoi.
Në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur”, ajo rrëfeu se si u gjend në situatën e dhunës, çfarë ndodhi më pas dhe si po përpiqet të rikthehet në jetën normale.
Sipas dëshmisë së saj, gjithçka nisi pasi disa vajza i kërkuan të shkonte me to, duke i thënë se kishin një “muhabet për të sqaruar”. Ajo pranoi, pa e ditur se çfarë do të ndodhte.
“Më thanë që hajde se kemi një muhabet për të sqaruar”, tregoi e mitura.
Sipas saj, shkak për përplasjen u bë pretendimi se ajo kishte puthur të dashurin e njërës prej vajzave. 17-vjeçarja e mohoi këtë dhe tha se djalin në fjalë nuk e njihte.
Ajo tregoi se u dërgua në një banesë që nuk e kishte vizituar më parë. Sipas rrëfimit të saj, aty ndodheshin disa prej vajzave, ndërsa një tjetër ishte në kontakt përmes telefonit. Situata, që kishte nisur si një përballje për një pretendim, përfundoi në dhunë.
E mitura tha se pas ngjarjes shkoi në spital, pasi nuk ndihej mirë. Ajo kishte shenja në fytyrë, në buzë dhe në kokë dhe për rreth gjysmë ore qëndroi në spital, ku mori serum.
“Kisha shenja tek sytë, tek buzët edhe këtej tek koka”, rrëfeu ajo, duke shtuar se askush nuk e pyeti për mënyrën se si ishin shkaktuar këto shenja.
Por episodi, sipas saj, nuk përfundoi me daljen nga spitali.
Teksa po shkonte drejt vendit ku priste autobusin, ajo tha se pa sërish grupin e vajzave. Këtë herë, sipas saj, ato ishin më shumë në numër.
E mitura tregoi se u përpoq të largohej dhe hyri me vrap në një lokal, ku kërkoi të shmangte përballjen me grupin.
Në atë moment ajo ende nuk i kishte treguar familjes se çfarë kishte ndodhur. Sipas rrëfimit të saj, nënës i tregoi më vonë, pasi familja u vu në dijeni për ngjarjen dhe iu drejtua institucioneve.
Ndërkohë, pamjet e dhunës kishin nisur të qarkullonin në rrjetet sociale. 17-vjeçarja tha se vetë nuk i ka parë videot, pasi nuk ka telefon dhe nuk ka ndjekur publikimet që janë bërë rreth rastit.
Rasti i 17-vjeçares u bë publik pas denoncimit dhe hetimeve të autoriteteve. Sipas të dhënave të publikuara më herët për ngjarjen, tre vajza dyshohen për përfshirjen në dhunën ndaj saj, ndërsa çështja është trajtuar edhe në aspektin e heqjes së paligjshme të lirisë.
Sot, disa muaj pas ngjarjes, 17-vjeçarja thotë se gjendja e saj është përmirësuar. Ajo është rikthyer në kurs dhe vijon takimet me psikologen.
E pyetur nëse ka pasur kontakt apo shqetësime të tjera nga vajzat pas ngjarjes, ajo tha se nuk është shqetësuar më prej tyre.
Në fund të bisedës, kur u pyet nëse kishte një mesazh për bashkëmoshatarët e saj, përgjigjja e saj ishte e shkurtër: “Nuk i uroj askujt.”
Rrëfimi i saj vjen disa muaj pas ngjarjes dhe sjell për herë të parë në vëmendje përjetimin e vetë vajzës pas pamjeve që qarkulluan publikisht. Përtej hetimit të rastit, historia ka hapur diskutimin për dhunën mes të rinjve, bullizmin dhe pasojat që një ngjarje e tillë mund të lërë te një i mitur./BALKANWEB




