Fier – Arrestohet 17-vjeçari që aksidentoi 35-vjeçarin; disa shoferë të dehur në pranga, vetëvrasje në Lushnjë

Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka dhënë informacion zyrtar mbi ngjarjet e regjistruara gjatë ditës së djeshme.
Policia njofton se është arrestuar në flagrancë 17-vjeçari që shkaktoi aksidentin në lagjen “Liri Gero”, ku u përplas me automjetin e shtetasit K. T., 35 vjeç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Gjithashtu, për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe aksidente me pasojë dëme materiale, u arrestuan:
- R. Rr., 59 vjeç, banues në Levan;
- I. Ç., 38 vjeç, banues në fshatin Germenjë, Divjakë;
- H. B., 53 vjeç, banues në Elbasan, i cili u përplas me një motomjet, duke lënduar drejtuesin F. H., 65 vjeç dhe pasagjeren N. H., 55 vjeçe, të dy nën kujdes mjekësor;
- E. D., 36 vjeç, banues në Fier, i kapur duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
Nga ana tjetër, Specialistët për Hetimin e Krimeve nisën procedim në gjendje të lirë për A. T., 60 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se ka vjedhur portofolin e një 38-vjeçari.
Ndërkohë, gjatë mesnatës, një ngjarje e rëndë u shënua në Lushnjë, ku dyshohet se është vetëvarur në banesën e tij, në lagjen “18 Tetori”, shtetasi P. D., 64 vjeç. Policia po heton rrethanat e plota të ngjarjes.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Fier, për veprime të mëtejshme.




