FIER/ BABAI I DY FËMIJËVE, JAKUP HASANI, HUMBI JETËN PAS ATENTATIT NË FIER, SOT PËRCILLET PËR NË BANESËN E FUNDIT

47-vjeçari Jakup Hasani, i cili mbeti i plagosur rëndë gjatë atentatit të ndodhur në lagjen “1 Maji” në Fier, ndërroi jetë gjatë natës në Spitalin Rajonal të Fierit, pavarësisht ndërhyrjes së gjatë kirurgjikale dhe përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë.
Jakup Hasani ishte baba i dy fëmijëve dhe prej më shumë se katër vitesh punonte në Ndërmarrjen e Pastrim-Gjelbërimit pranë Bashkisë Fier. Ai njihej nga kolegët dhe të afërmit si një njeri punëtor.
Në momentin e atentatit, 47-vjeçari ndodhej në oborrin e banesës së xhaxhait të tij, Selami Hasani, në lagjen “1 Maji”, ku të dy po punonin. Autorët hapën zjarr ndaj tyre, duke lënë të vdekur në vend 60-vjeçarin Selami Hasani, ndërsa Jakupi mbeti i plagosur rëndë.
Pas ndarjes së tij nga jeta, atentati i rëndë shënoi dy viktima.
Sot, në orën 14:00, Jakup Hasani do të përcillet për në banesën e fundit së bashku me xhaxhain e tij, Selami Hasani. Ceremonia mortore do të zhvillohet në varrezat e qytetit të Fierit.




