Fier – Dërgohen për gjykim një avokate dhe një përkthyese për falsifikim dokumentesh, Falsifikuan vendimin e Apelit Tiranë dhe asaj greke

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka dërguar për gjykim dy shtetase, një avokate dhe një përkthyese, të dyshuara për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal.
Sipas hetimeve të procedimit penal nr. 857 të vitit 2025, më datë 29.05.2025 në Zyrën e Gjendjes Civile në Bashkinë Fier është dërguar nëpërmjet shërbimit postar një vendim gjyqësor i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, i datës 12.02.2025, me kërkues shtetasin F.H. dhe objekt njohjen dhe dhënien e fuqisë ligjore në Republikën e Shqipërisë të një vendimi të një gjykate në Greqi.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se dokumenti i paraqitur është i falsifikuar.
Gjithashtu, nga administrimi i provave është provuar se dokumentet janë dërguar nga shtetaset A.K. dhe A.M., të cilat jo vetëm janë paraqitur disa herë pranë Zyrës së Gjendjes Civile për t’u interesuar mbi procedurën, por njëra prej tyre, A.M., ka tentuar të ndikojë në regjistrimin e tyre duke u prezantuar në cilësinë e saj profesionale si njohëse e ligjit.
Hetimet kanë provuar se e pandehura A.K., në bashkëpunim me avokaten A.M., kanë falsifikuar dhe përdorur vendime gjyqësore, si atë të një gjykate greke ashtu edhe atë të paraqitur si vendim i Gjykatës së Apelit në Tiranë, me qëllim realizimin e një zgjidhjeje martesore të rreme të shtetasit F.H., si dhe krijimin e kushteve për regjistrim të këtij vendimi në gjendjen civile shqiptare, me synim lidhjen e një martese të re.
Prokuroria Fier thekson se mbetet e angazhuar për garantimin e ligjshmërisë dhe integritetit të veprimtarisë së administratës publike, si dhe për ndëshkimin e çdo rasti të falsifikimit të dokumenteve zyrtare apo private.




