Fier/ Operacioni “Transaksioni 2”, 14 persona nën masa sigurie për ushtrimin e aktivitetit financiar pa licencë
11 persona në “Arrest në shtëpi”, sekuestrohen mbi 4.4 milionë lekë, 92 mijë euro dhe shuma të tjera në valutë të huaj.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka finalizuar operacionin policor të koduar “Transaksioni 2”, në kuadër të të cilit janë ekzekutuar 14 masa sigurie ndaj shtetasve të dyshuar për ushtrimin pa licencë të veprimtarive financiare.
Operacioni është zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në DVP Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.
Në zbatim të vendimit të gjykatës, janë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në shtëpi” për 11 shtetasit:
- Etland Dhamo
- Hasan Shametaj
- Enis Ikonomi
- Admir Iljazi
- Laurenc Toska
- Luan Zenelaj
- Fatmir Dervishaj
- Viktor Binaj
- Denis Arapi
- Rinush Stavri
- Çlirim Sino
Ndërkohë, për 3 shtetase të tjera janë ekzekutuar masat e sigurisë “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Sekuestrohen shuma të konsiderueshme parash
Gjatë kontrolleve të ushtruara në njësitë tregtare dhe banesat e personave të përfshirë në hetim, policia ka gjetur dhe sekuestruar shuma të konsiderueshme parash në monedha të ndryshme.
Konkretisht, janë sekuestruar:
- 4 461 000 lekë;
- 92 390 euro;
- 8 215 paund;
- 19 022 dollarë;
- 220 franga.
Një prej personave procedohet edhe për armën e gjetur në banesë
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Çlirim Sino, policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë sportive të tipit pistoletë, dy mjete prerëse dhe një fishek. Për këtë shtetas ka nisur edhe procedimi penal lidhur me sendet e sekuestruara.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme hetimore.
Policia bën me dije se vijon angazhimi për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën ekonomiko-financiare.




