Fier – Përjashtohet nga pensioni i invaliditetit pas 25 vitesh përfitim, 40-vjeçarja kërkon drejtësi

Blerina Kapollari, 40 vjeçe nga Fier, person me aftësi të kufizuara të nivelit të parë, është përjashtuar këtë vit nga skema e përfitimit të pensionit të invaliditetit, pas 25 vitesh përfitim të pandërprerë.

Kapollari, e cila vuan nga një sëmundje e rëndë që nga fëmijëria dhe nuk është e aftë për punë, tregon se ka dorëzuar çdo vit dokumentacionin e kërkuar sipas procedurave, përfshirë raportet mjekësore të përcaktuara nga ligji. Por pavarësisht kësaj, Drejtoria Rajonale për Personat me Aftësi të Kufizuar në Fier ka vendosur ta përjashtojë nga skema, duke i hequr të drejtën e pensionit.
“Jam Blerina Kapollari. Vuaj nga një sëmundje që nga fëmijëria dhe kam marrë kemp prej 25 vitesh. Tani më thonë që nuk e përfitoj më. Vajta në komisionin mjekësor, por njëra nga doktoreshat nuk ishte fare, ndërsa tjetra më priti me nerva dhe nuk më dha asnjë informacion. Arrita të mësoj vetëm një emër: Gentiana. Dorëzova një ankesë, por më thanë ‘nuk keni punë tek ne, ankohuni ku të doni’. Unë nuk punoj dot, nuk jam e aftë. Ushqimin ma sjellin të tjerët, lëviz me bastun, kam nevojë për kujdestar. Pensioni që merrja ishte fillimisht 100 mijë lekë, pastaj ma ulën në 77 mijë, dhe tani ma hoqën fare”, rrëfen ajo.
Për Blerinën dhe bashkëshortin e saj Idrizin, i cili përfiton vetëm 10.100 lekë në muaj, ky vendim është i padrejtë dhe ka përkeqësuar ndjeshëm gjendjen e tyre ekonomike dhe sociale.
Dy bashkëshortët apelojnë për ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse dhe kërkojnë rivlerësimin e vendimit, në mënyrë që Blerinës t’i rikthehet e drejta për të përfituar pensionin e invaliditetit – i vetmi burim jetese për familjen e tyre.




