Fier – Policia arreston 53-vjeçarin për trafikim veprash arti dhe drogë; procedime për disa shkelje të tjera

Drejtoria Vendore e Policisë Fier njofton se ka vënë në pranga shtetasin Sh. K., 53 vjeç, banues në Fier, ndaj të cilit Gjykata e Apelit kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ai akuzohet për “Trafikim të veprave të artit dhe kulturës” dhe “Prodhim dhe shitje narkotikësh”, vepra që dyshohet se i ka kryer rreth dy vite më parë, ku ka bashkëpunuar në trafikim objektesh arti dhe ka mbajtur në banesë lëndë narkotike të llojit Cannabis Sativa.
Ndërkohë, në Lushnjë, specialistët e Qarkullimit Rrugor kanë proceduar në gjendje të lirë shtetasin D. N., 36 vjeç, pasi me automjetin që drejtonte përplasi dy këmbësorë, bashkëshortët I. D., 72 vjeç dhe D. D., 68 vjeçe, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Në Fier, specialistët për Hetimin e Krimeve kanë nisur procedim në gjendje të lirë për G. H., 47 vjeç, i cili kishte penguar qarkullimin në lagjen “15 Tetori” duke parkuar automjetin në mënyrë të gabuar.
Po ashtu, është shpallur në kërkim shtetasi N. Dh., 53 vjeç, pasi dyshohet se ka kanosur vajzën e tij nëpërmjet rrjeteve sociale. Policia po punon për kapjen e tij.
Materialet procedurale i janë dërguar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.




