FIER/ SEKUESTROHEN 2.6 MILIONË EURO DHE NJË “BENTLEY”/ Në hetim për falsifikimin e pronave, pasuritë i përkasin Kastriot Haskos

Prokuroria e Fierit ka sekuestruar 2.6 milionë euro, rreth 1.8 milionë lekë, 7,515 dollarë amerikanë dhe një automjet luksoz “Bentley Flying Spur”, në kuadër të hetimeve për falsifikimin e dokumenteve të pronave dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.
Pasuritë janë sekuestruar në kuadër të procedimit penal ndaj shtetasit Kastriot Hasko, i cili aktualisht ndodhet nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Sipas Prokurorisë së Fierit, Hasko dyshohet se, nëpërmjet përdorimit të vendimeve të falsifikuara, ka arritur të regjistrojë në emër të tij dhe të personave të tjerë sipërfaqe të konsiderueshme toke.
Në kuadër të hetimit janë sekuestruar:
- 2,610,195 euro
- 1,865,076 lekë
- 7,515 dollarë amerikanë
- Një “Bentley Flying Spur”, viti 2024, me vlerë të deklaruar blerjeje 250 mijë euro.
Emri i Kastriot Haskos është bërë më herët publik në dosjen për tjetërsimin dhe regjistrimin e pronave në zonat e Semanit të Ri dhe Sheq Marinasit, hetim në të cilin janë arrestuar edhe dy ish-drejtues të Kadastrës së Fierit, së bashku me një specialist të ASHK-së.
Sipas hetimeve të mëparshme, bëhet fjalë për një sipërfaqe prej rreth 1,143 hektarësh tokë, e cila dyshohet se është regjistruar përmes dokumenteve të falsifikuara dhe më pas është përdorur në transaksione pronësie.
Prokuroria e Fierit vijon hetimet për të dokumentuar origjinën e pasurive dhe për të përcaktuar nëse ato janë produkte të veprave penale. Institucioni ka deklaruar se do të vijojë procedurat për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive me prejardhje nga veprimtari kriminale.
Personat nën hetim prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.




