FIER/ Shkuan në ndihmë të banorëve për të luftuar zjarrin, dy efektivëve të policisë u shkrumbohen automjetet personale në Levan

Fier – Një ngjarje e veçantë dhe e dhimbshme është regjistruar gjatë zjarrit masiv që përfshiu dje zonën e Levanit në Fier, ku dy efektivë policie, të angazhuar në ndihmë të banorëve, kanë humbur automjetet e tyre personale.
Efektivët kishin shkuar në zonë për t’iu ardhur në ndihmë banorëve dhe për të kontribuar në përpjekjet për frenimin e flakëve, të cilat përhapeshin me shpejtësi nëpër ullishte dhe pranë pronave.
Automjetet e tyre personale ishin parkuar në një zonë që në atë moment konsiderohej e sigurt. Por situata ndryshoi brenda pak minutash. Era e fortë favorizoi përhapjen e flakëve dhe zjarri u drejtua edhe nga vendi ku ishin parkuar makinat.
Ndërsa dy efektivët vijonin të ishin të angazhuar në terren, duke ndihmuar banorët dhe në përpjekje për të mbajtur nën kontroll flakët, zjarri përfshiu automjetet e tyre.
Kur u rikthyen në vendin ku i kishin lënë, gjetën makinat tërësisht të shkrumbuara.
Një situatë veçanërisht e rëndë për dy efektivët, të cilët kishin lënë mënjanë pronën e tyre personale për t’u ardhur në ndihmë banorëve të rrezikuar nga zjarri.
Pamjet e siguruara nga terreni tregojnë dy automjetet e djegura plotësisht, ndërsa përreth tyre gjithçka është mbuluar nga hiri dhe toka e përfshirë nga flakët.
Zjarri i djeshëm në Levan ishte ndër situatat më të vështira të përballuara në zonë, duke shkaktuar dëme të mëdha në ullishte, prona dhe automjete, ndërsa banorët, policia, zjarrfikësit dhe strukturat e tjera u përballën për orë të tëra me një situatë të rrezikshme.




