Gentian Koçi: Në Levan isha pranë banorëve që në orët e para, shteti të marrë masa konkrete për zjarrfikësit dhe dëmet

Situata e rëndë e krijuar nga zjarret masive në zonën e Levanit ka sjellë reagimin e kreut të Partisë Demokratike, Dega Fier, Gentian Koçi, i cili ka deklaruar se ka qenë pranë banorëve që në orët e para të emergjencës.
Në një reagim publik, Koçi shprehet se në këto momente të vështira ka zgjedhur të jetë pranë qytetarëve dhe jo të publikojë pamje apo fotografi nga terreni, duke argumentuar se vëmendja duhet të përqendrohet tek njerëzit e rrezikuar dhe jo tek interesi politik apo mediatik.
“Kam qenë aty që në orët e para, pranë njerëzve që më kontaktuan dhe kishin nevojë për ndihmë”, shprehet Koçi, duke shtuar se, pavarësisht mundësive të kufizuara për të ndërhyrë, më e rëndësishmja ishte që banorët të mos ndiheshin të braktisur në ato momente dramatike.
Koçi ka shmangur paragjykimin mbi shkaqet e zjarreve, duke theksuar se nëse ato kanë qenë të qëllimshme apo aksidentale, kjo duhet të përcaktohet nga organet kompetente përmes hetimeve.
Në reagimin e tij, ai ka shprehur gjithashtu mirënjohje për zjarrfikësit dhe efektivët e Policisë së Shtetit që u përballën me situatën në terren.
“Dhanë maksimumin, duke rrezikuar edhe jetën e tyre për të mbrojtur qytetarët dhe pronat e tyre”, shkruan Koçi.
Por krahas vlerësimit për punën e strukturave në terren, ai ka ngritur kritika ndaj mënyrës se si është trajtuar shërbimi zjarrfikës nga qeveria, duke pretenduar se punonjësit përballen me mungesë pajisjesh, mjetesh dhe investimesh, pavarësisht rrezikshmërisë së lartë të detyrës që kryejnë.
Sipas Koçit, situata e krijuar në Levan duhet të shërbejë si një alarm për shtetin, ndërsa fondet e destinuara për sigurinë dhe pajisjet e zjarrfikësve duhet të shkojnë drejtpërdrejt në forcimin e kapaciteteve të tyre.
“Zjarrfikësve nuk duhet t’u mungojnë as mjetet më elementare”, thekson ai, duke kërkuar që shteti t’u krijojë kushtet e nevojshme për të përballuar emergjenca të tilla.
Në fund të reagimit, Koçi ka kërkuar që institucionet të ndërmarrin masa konkrete për evidentimin dhe rikuperimin sa më të shpejtë të dëmeve të shkaktuara nga zjarri, në mënyrë që familjet dhe bizneset e prekura të mund t’i rikthehen normalitetit.
Ai ka bërë gjithashtu të ditur se Partia Demokratike, Dega Fier, i ka dyert e hapura për qytetarët e prekur nga zjarret, duke i ftuar ata të paraqesin shqetësimet, problemet dhe nevojat e tyre lidhur me situatën dhe menaxhimin e saj.
Postimi i Koçit:
Nisur nga situata tejet kritike për shkak të zjarreve masive në Levan, si dhe nga interesi i madh publik e mediatik, dua të ndaj me ju angazhimin tim në këto orë të vështira për banorët e kësaj zone.
Kam qenë aty që në orët e para, pranë njerëzve që më kontaktuan dhe kishin nevojë për ndihmë. Mundësitë tona për të ndërhyrë ishin të kufizuara, por më e rëndësishmja ishte të mos i linim banorët vetëm në ato çaste dramatike.
As që më shkoi ndër mend të publikoja video apo fotografi, sepse besoj se, në situata të tilla, e gjithë vëmendja duhet të përqendrohet tek emergjenca dhe njerëzit e rrezikuar, jo tek interesi politik apo mediatik.
Nuk dua të paragjykoj shkaqet e zjarreve dhe as përgjegjësitë për to. Nëse kanë qenë të qëllimshme apo aksidentale, u takon organeve kompetente ta hetojnë dhe ta bëjnë të vërtetën publike.
Dua të shpreh mirënjohjen time për forcat zjarrfikëse, punonjësit e Policisë së Shtetit dhe drejtuesit e tyre vendorë, të cilët u përballën pa ndërprerje me këtë situatë kritike. Ata dhanë maksimumin, duke rrezikuar edhe jetën e tyre për të mbrojtur qytetarët dhe pronat e tyre.
Ajo që lë shumë për të dëshiruar është qasja e qeverisë ndaj shërbimit zjarrfikës. Këta punonjës janë lënë në mëshirë të fatit, me mungesë pajisjesh, mjetesh dhe investimesh, ndonëse kryejnë një detyrë me rrezikshmëri shumë të lartë dhe me rëndësi jetike për komunitetin.
Uroj që situata të tilla të përsëriten kurrë.
Ngjarje të tilla duhet të shërbejnë si një alarm i fortë për shtetin dhe drejtuesit e tij. Fondet e akorduara për sigurinë dhe pajisjen e zjarrfikësve nuk duhet të shpërdorohen apo të vidhen, siç ndodh fatkeqësisht me shumëçka tjetër në këtë vend.
Këto fonde duhet të investohen aty ku shpëtojnë jetë. Zjarrfikësve nuk duhet t’u mungojnë as mjetet më elementare, sepse shteti ka detyrimin t’u krijojë kushtet e nevojshme për të kryer detyrën dhe të mos i dërgojë të pambrojtur përballë flakëve.
Uroj që kjo situatë të kalojë sa më shpejt dhe të mos ketë pasoja të tjera për banorët e prekur. Njëkohësisht, shteti duhet të marrë masa konkrete për evidentimin dhe rikuperimin sa më të shpejtë të dëmeve, në mënyrë që qytetarët t’i rikthehen normalitetit.
Partia Demokratike Dega Fier, i ka dyert e hapura për çdo qytetar të prekur. Ata mund të paraqesin shqetësimet e tyre për mënyrën se si po menaxhohet situata, si edhe çdo problem apo nevojë me të cilën po përballen.
Me respekt,
Gentian Koçi




