Fier/ Ushtronin veprimtari në fushën e këmbimit valutor pa licencë, masa sigurie për 14 persona

Prokuroria e Fierit ka kërkuar dhe Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka caktuar masa sigurie ndaj 14 personave, të dyshuar se ushtronin veprimtari në fushën e këmbimit valutor pa qenë të pajisur me licencën përkatëse nga Banka e Shqipërisë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë së Fierit, hetimi është zhvilluar në kuadër të procedimit penal nr. 617 të vitit 2026, për veprën penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”, parashikuar nga neni 170/ç i Kodit Penal. Hetimet janë kryer në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, përmes përdorimit të metodave speciale të hetimit dhe veprimeve të tjera hetimore.
Nga hetimet, autoritetet kanë dokumentuar 14 raste të subjekteve tregtare që dyshohet se ushtronin aktivitet në fushën e këmbimit valutor pa licencë nga Banka e Shqipërisë.
Për 11 prej personave nën hetim, konkretisht E. Dh., H. Sh., E. I., A. I., L. T., L. Z., F. D., Ç. S., V. B., D. A. dhe R. S., gjykata ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”.
Ndërkohë, për A. K. dhe ZH. Z. janë caktuar masat “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Për personin nën hetim J. G. është caktuar masa “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.
Në kuadër të hetimeve janë ushtruar kontrolle në subjektet tregtare që dyshohet se kryenin veprimtari të palicencuar të këmbimit valutor, si dhe në banesat e administratorëve të këtyre subjekteve.
Gjatë kontrolleve, sipas Prokurorisë, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale shuma të konsiderueshme parash në valuta të ndryshme. Konkretisht, janë sekuestruar 4 milionë e 461 mijë lekë, 92 mijë e 390 euro, 8 mijë e 215 paund britanikë, 220 franga zvicerane, 30 lira turke dhe 45 dirhamë.
Gjithashtu, gjatë kontrolleve janë sekuestruar edhe sende të tjera që dyshohet se përbëjnë prova materiale. Mes tyre janë një armë sportive, tip pistoletë, me zara plastikë, një armë antike, tip pistoletë, një mjet i mprehtë antik me këllëf dhe një mjet i mprehtë metalik me bisht druri.
Prokuroria e Fierit bën me dije se hetimet vijojnë nën drejtimin e saj, me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar të paligjshme, përcaktimin e rolit dhe përgjegjësisë së secilit prej personave nën hetim, si dhe administrimin dhe vlerësimin e të gjitha provave të mbledhura.




