FIER, ZBARDHEN 4 VJEDHJE NË BIZNESE, ARRESTOHET 30-VJEÇARI ME PRECEDENTË PENALË
Policia e Fierit ka finalizuar operacionin e koduar “Precedenti”, duke zbardhur katër raste të vjedhjes me thyerje në biznese të ndryshme të qytetit, të ndodhura gjatë muajit tetor.
Në kuadër të këtij operacioni është kapur dhe arrestuar një 30-vjeçar, i identifikuar si Ysen Driza, banues në Fier, i cili ishte shpallur në kërkim për veprën penale të vjedhjes.
Sipas Policisë, nga hetimet dyshohet se 30-vjeçari, gjatë periudhës 19–28 tetor 2026, ka kryer vjedhje me thyerje në katër biznese të ndryshme në qytetin e Fierit. Gjatë këtyre vjedhjeve dyshohet se janë marrë shuma parash, dy telefona celularë dhe pajisje elektronike, mes tyre edhe serveri i sistemit të kamerave të sigurisë.
Policia bën me dije se i arrestuari ka precedentë penalë në fushën e vjedhjes, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur nëse ai është autor edhe i rasteve të tjera të vjedhjeve të ndodhura në qytet.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme.




