Fluksi i sezonit turistik rëndon trafikun në Qarkun e Fierit, Policia merr masa shtesë

Fier – Piku i sezonit turistik ka sjellë një fluks të shtuar të automjeteve në akset rrugore të Qarkut të Fierit, duke shkaktuar ngarkesë të lartë në disa prej segmenteve kryesore.

Sipas shefit të Sektorit të Policisë Rrugore në DVP Fier, Rustem Plaka, ndër akset më problematike mbeten Patos–Fier, Fier–Levan dhe Levan–Tepelenë.
Vështirësi në qarkullim raportohet edhe në akset që lidhin zonat urbane me bregdetin, të cilat gjatë sezonit veror përballen me një numër të lartë automjetesh.
Në këtë kategori përfshihen Fier–Seman, Fier–Darëzezë dhe Lushnje–Divjakë, ku fluksi i mjeteve rritet ndjeshëm, veçanërisht gjatë fundjavave dhe orareve të pikut.
Për menaxhimin e situatës, Policia Rrugore ka shtuar prezencën në terren dhe po monitoron vazhdimisht këto akse, me qëllim lehtësimin e qarkullimit dhe parandalimin e incidenteve rrugore.
Policia u bën apel drejtuesve të mjeteve që të tregojnë durim, të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të shmangin manovrat e rrezikshme në zonat ku krijohen radhë automjetesh.




