Forumi Ndërkombëtar i Migracionit/ Ministri Lamallari në OKB: Shqipëria një vend tërheqës për ata që duan të kthehen dhe për të huajt që investojnë

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ndau me OKB rrugëtimin e Shqipërisë dhe qasjen gjithëpërfshirëse ndaj migracionit.
Në Forumin Ndërkombëtar për Rishikimin e Migracionit që po mbahet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Lamallari u shpreh se, vendi ynë është më tërheqës për të gjithë ata që duan të kthehen dhe kontribuojnë në vendin e tyre, krahas mijëra të huajve të tjerë të cilët kanë zgjedhur të vizitojnë Shqipërinë.
Ai theksoi se, migracioni, siguria, ekonomia, drejtësia dhe liritë politike janë të pandashme nga transformimi i përditshëm i vendit dhe shoqërisë shqiptare.
“Pak ditë më parë, në Tiranë u mbajt Samiti i 4 i Diasporës, si një moment celebrimi i angazhimeve të ndërmarra qysh në Samitin e Parë, ku premtuam votën e diaspores dhe ajo sot është realitet. Theksova gjithashtu, se vendi ynë është më tërheqës për të gjithë ata që duan të kthehen dhe kontribuojnë në vendin e tyre, krahas mijëra të huajve të tjerë të cilët kanë zgjedhur të vizitojnë Shqipërinë, punojnë dhe investojnë në vendin tonë. Nga një vend me më pak se 3000 euro për frymë, vendi ynë sot arrin në 11 mijë euro të ardhura për frymë.
Ambicia dhe angazhimi i qeverisë shqiptare është që të arrijmë në 15 mijë euro për frymë në fund të kësaj dekade. Forca tërheqëse e një vendi plot mundësi është reflektuar gjithashtu në rritjen e pakrahasueshme të numrit të turistëve në 12 milionë vitin e fundit dhe në rritjen e investimeve të huaja nga 300-400 milionë euro në vit në plot 1,6 miliard të tilla vitin e shkuar. Migracioni, siguria, ekonomia, drejtësia dhe liritë politike janë të pandashme nga transformimi i përditshëm i vendit dhe shoqërisë shqiptare”, tha ministri Lamallari.




