Gazetari Osman Stafa kallëzon dy persona: Më fyen dhe më sulmuan fizikisht! Qytetarët: Debati nisi pasi na kërkoi llogari për mungesën në protestë

Një konflikt mes disa personave është regjistruar mbrëmjen e së shtunës pranë sheshit “Skënderbej” në Tiranë.
Sipas Policisë, rreth orës 22:00 është marrë njoftim për një përplasje verbale dhe fizike, ndërsa në vendngjarje kanë ndërhyrë menjëherë shërbimet e Komisariatit Nr. 3, të cilat kanë parandaluar përshkallëzimin e situatës dhe kanë shoqëruar në komisariat personat e përfshirë.
Gazetari Osman Stafa ka kallëzuar se është sharë, ofenduar dhe gërvishtur nga dy shtetas, me iniciale Z. N. dhe M. P., duke pësuar dëmtime të lehta.
Nga ana tjetër, dy qytetarët kanë deklaruar se konflikti nisi pas një debati verbal me gazetarin, i cili sipas tyre u kishte kërkuar llogari në lidhje me mungesën e tyre në një tubim të zhvilluar në qytet.
Policia bën me dije se për rastin po kryhen të gjitha veprimet procedurale dhe hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë, për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Më datë 21.06.2026, rreth orës 22:00, pranë sheshit “Skënderbej”, është njoftuar Policia për një konflikt ndërmjet disa shtetasve.
Menjëherë në vendngjarje kanë ndërhyrë shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, të cilat kanë parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe kanë shoqëruar në Komisariat personat e përfshirë.
Konkretisht, shtetasin O. S., gazetar, i cili ka kallëzuar se është sharë, ofenduar dhe gërvishtur nga shtetasit Z. N. dhe M. P., duke pësuar dëmtime të lehta.
Nga ana tjetër, shtetasit Z. N. dhe M. P. kanë deklaruar se konflikti ka nisur pas një debati verbal me shtetasin O. S., pasi ky i fundit u ka kërkuar llogari lidhur me mospraninë e tyre në tubimin e zhvilluar në qytet.
Në lidhje me këtë rast po kryhen veprimet procedurale dhe hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë.




