Gjendet i pajetë Eglant Koçi, 34-vjeçari i zhdukur prej dy javësh. Trupi u zbulua në një zonë mes Tiranës dhe Elbasani

Policia ka gjetur trupin e pajetë të Eglant Koçit, 34-vjeçarit që rezultonte i zhdukur prej rreth dy javësh.
Sipas informacioneve paraprake, trupi i të riut është lokalizuar në një zonë rurale mes Tiranës dhe Elbasanit. Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë së Shtetit dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur veprimet procedurale për dokumentimin e rastit dhe mbledhjen e provave.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë detaje mbi rrethanat e vdekjes, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar shkakun dhe për të zbardhur plotësisht ngjarjen.
Eglant Koçi ishte denoncuar si i zhdukur nga familjarët rreth dy javë më parë. Gjatë kësaj kohe, policia dhe të afërmit kishin zhvilluar kërkime në disa zona, në përpjekje për ta gjetur.
Pritet që ekspertizat mjeko-ligjore dhe veprimet e mëtejshme hetimore të hedhin më shumë dritë mbi këtë rast tragjik.




