Gjimnazi “Zhani Ciko” Patos, fiton vendin e parë në Festivalin Kombëtar të Shkencës 2026

Një arritje e jashtëzakonshme për arsimin në qarkun Fier është shënuar sot në Tiranë, ku u zhvillua Festivali Kombëtar i Shkencës 2026, me pjesëmarrjen e shkollave nga e gjithë Shqipëria.

Mes shumë projekteve konkurruese, Gjimnazi “Zhani Ciko” i Patosit, pjesë e ZVAP Patos dhe përfaqësues i DRAP Fier, u shpall fitues i vendit të parë me projektin inovativ “BEE PARK”.

Projekti tërhoqi vëmendjen e jurisë për idenë kreative, rëndësinë edukative dhe mesazhin e fortë për mbrojtjen e mjedisit dhe biodiversitetit. Fitorja konsiderohet një sukses i madh për nxënësit dhe stafin pedagogjik të shkollës.

Pas këtij rezultati qëndron puna e palodhur e nxënësve, përkushtimi i mësuesve dhe mbështetja e drejtuesve të institucionit arsimor. Vlerësim i veçantë shkon për mësuesen udhëheqëse të projektit, Erviola Ndreko, e cila drejtoi dhe koordinoi realizimin e tij.

Në ceremoninë zyrtare të ndarjes së çmimeve ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, i cili dorëzoi çmimet për shkollat fituese dhe përgëzoi të rinjtë për idetë inovative.

Ky triumf i Gjimnazit “Zhani Ciko” sjell krenari për Patosin, Fierin dhe gjithë komunitetin arsimor të zonës, duke dëshmuar se talenti dhe puna serioze shpërblehen gjithmonë.









