Greqia fut hundët në debatin për Zvërnecin, i quan banorët minoritet grek! Beleri letër Komisionit Europian

Pas incidenteve dhe protestave të zhvilluara në Zvërnec, Greqia është përfshirë në debatin publik, duke e shfrytëzuar situatën për të ngritur pretendime lidhur me praninë e minoritetit grek në zonë.
Në një reagim zyrtar, Ministria e Jashtme greke shprehu shqetësim për ngjarjet e ndodhura, ku mbeti i plagosur edhe një shtetas grek, ndërsa i kërkoi autoriteteve shqiptare zbardhjen e plotë të incidentit dhe identifikimin e përgjegjësve.
Athina zyrtare shkoi më tej, duke theksuar nevojën për mbrojtjen e të drejtave të pjesëtarëve të minoritetit kombëtar grek në Shqipëri, ndërsa përmendi edhe respektimin e të drejtave pronësore dhe mbrojtjen e zonave të mbrojtura mjedisore sipas standardeve europiane.
Në debat është përfshirë edhe eurodeputeti grek Fredi Beleri, i cili i ka dërguar një pyetje zyrtare Komisionit Europian. Beleri pretendon se në fshatin Zvërnec jetojnë kryesisht anëtarë të minoritetit grek dhe se po cenohet e drejta e pronës së banorëve të zonës.
Përmes letrës drejtuar Komisionit Europian, ai kërkon informacion mbi masat që po merren për mbrojtjen e të drejtave pronësore dhe të pakicave kombëtare në Shqipëri, si edhe nëse këto çështje do të ndikojnë në procesin e integrimit europian të vendit.
Reagimi i Athinës dhe nisma e Belerit kanë rikthyer në vëmendje debatin për statusin e zonës së Zvërnecit, duke i dhënë çështjes një dimension edhe ndërkombëtar.




