Filozofi kosovar: Sa herë që shqiptarëve u ofrohen investime të mëdha nga kapitali i huaj, shërbimet sekrete të rajonit aktivizohen për t’i penguar ato

Filozofi dhe akademiku kosovar Blerim Latifi ka reaguar lidhur me debatet dhe protestat për projektin turistik në Zvërnec, duke ngritur dyshime se pas kundërshtimeve ndaj investimeve të mëdha të huaja mund të fshihen interesa që synojnë frenimin e zhvillimit ekonomik të shqiptarëve.
Sipas Latifit, sa herë që në hapësirën shqiptare paraqiten projekte të mëdha investimi nga kapitali i huaj, aktivizohen mekanizma që synojnë t’i pengojnë ato, përmes grupeve të sponsorizuara, politikanëve të korruptuar dhe organizatave që, sipas tij, veprojnë nën agjenda të caktuara.
Ai sjell si shembull Kosovën, ku pretendon se kundërshtimi i projekteve energjetike ka penguar ndërtimin e kapaciteteve të reja të prodhimit të energjisë, duke e lënë vendin të varur nga importet dhe interesat e grupeve të caktuara ekonomike.
Duke iu referuar protestave në Zvërnec dhe debatit që ka shpërthyer në rrjetet sociale për investimin miliarda eurosh të planifikuar në zonë, Latifi shprehet se ka përshtypjen se edhe këto reagime mund të kenë të njëjtën origjinë dhe të njëjtin qëllim: pengimin e një investimi strategjik.
Sipas tij, në vend që të zhvillohet një debat i balancuar mbi përfitimet dhe kostot e projektit, opinioni publik po përballet me narrativa frike dhe dezinformimi që synojnë bllokimin e investimeve të mëdha.
“Shqiptarëve zhvillimi u paraqitet si kërcënim, ndërsa prapambetja si virtyt dhe drejtësi”, shkruan Latifi, duke argumentuar se kundërshtimi i vazhdueshëm ndaj projekteve strategjike rrezikon të pengojë zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit.




