Greva në Greqi bllokon përkohësisht katër pika kufitare me Shqipërinë

Greva e punonjësve në Greqi ka sjellë pezullimin e përkohshëm të punës në katër pikat kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë: Kakavijë, Tre Urat, Kapshticë dhe Qafë-Botë.
Sipas njoftimit të Departamentit të Policisë Kufitare dhe Migracionit, në pikat kufitare të Kakavijës dhe Tre Urave në Përmet është ndërprerë lëvizja e automjeteve në të dy drejtimet, nga ora 07:00 deri në 11:00 me orën shqiptare.
Ndërkohë, në pikat kufitare të Kapshticës dhe Qafë-Botës, pezullimi i hyrje-daljeve ka nisur që në orën 05:00 të mëngjesit dhe do të zgjasë deri në orën 09:00.
Autoritetet bëjnë me dije se, sipas informacionit të përcjellë nga Policia Kufitare e Janinës, gjatë orarit të grevës lejohen të kalojnë vetëm këmbësorët pa bagazhe dhe rastet emergjente shëndetësore, si ambulancat.
Policia Kufitare u bën thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve të planifikojnë udhëtimet e tyre duke marrë në konsideratë kufizimet e përkohshme në këto pika kalimi kufitar.




