Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, masa të përforcuara sigurie dhe protestë para Parlamentit

Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot, më 27 korrik, në një seancë plenare publike që do të nisë në orën 10:00, mes masave të përforcuara të sigurisë dhe një proteste të paralajmëruar para godinës së Parlamentit.
Policia e Shtetit ka hartuar të njëjtin plan masash si në seancën e kaluar, duke mbajtur të pandryshuar perimetrin e sigurisë dhe duke shtuar praninë e forcave policore në zonën përreth Kuvendit, me synim garantimin e mbarëvajtjes së seancës dhe tubimit të paralajmëruar.
Përpara nisjes së seancës, në orën 09:00, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të zhvillojë një mbledhje në selinë blu, ku pritet të vendosë qëndrimin që do të mbajë gjatë zhvillimit të punimeve parlamentare.
Sipas rendit zyrtar të ditës, deputetët do të shqyrtojnë miratimin e procesverbalit të seancës së kaluar, njoftimet, si edhe projektvendimin për ndryshimin e vendimit nr. 87/2026, që lidhet me caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme parlamentare.
Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse gjatë seancës do të përfshihet për miratim edhe marrëveshja mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën e mbrojtjes. Kjo çështje pritet të jetë edhe tema kryesore e diskutimit në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, përpara nisjes së seancës plenare.




