“Grumbulluesit na i marrin produktet me çmime të ulëta”/ Fermerët e Dimalit dhe Reskovecit kërkojnë ndërhyrjen e shtetit: Do të bojkotojmë prodhimin dhe do të emigrojmë

Fermerët e serave nga bashkitë Dimal dhe Roskovec janë mbledhur mesditën e sotme në qendër të fshatit Samaticë, ku kanë zhvilluar një protestë kundër pikave të grumbullimit.
Sipas tyre, këto pika po ua marrin prodhimin me çmime nën kosto, veçanërisht trangullin, i cili aktualisht tregtohet me rreth 60 lekë për kilogram. Fermerët theksojnë se çmimi është i paqëndrueshëm dhe ndryshon nga dita në ditë, duke rritur pasigurinë për prodhuesit.
Të revoltuar nga situata, ata deklarojnë se vijnë nga një sezon i vështirë, i shoqëruar me përmbytje, për të cilat nuk kanë përfituar asnjë dëmshpërblim. Përballë kësaj gjendjeje dhe çmimeve të ulëta, kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga shteti për rregullimin e tregut dhe garantimin e çmimeve të drejta për produktet bujqësore.
“Nëse vazhdon kështu, do të bojkotojmë prodhimin, do të mbyllim serat dhe do të marrim rrugën e emigracionit”, shprehen fermerët protestues.
Sipas tyre, në këtë protestë janë bashkuar fermerë nga katër fshatra të bashkisë Dimal dhe tre fshatra të bashkisë Roskovec, të cilët mbështeten kryesisht tek bujqësia si burimi i vetëm i të ardhurave. Në total, bëhet fjalë për rreth 500 hektarë të mbjella me prodhime sezonale, të cilat shkojnë kryesisht për eksport dhe mbajnë gjallë ekonominë e këtyre zonave.
Fermerët paralajmërojnë se kjo është vetëm faza e parë e reagimit dhe, nëse nuk do të ketë zgjidhje konkrete, protestat do të përshkallëzohen në ditët në vijim.




